Punëdhënës

Punëdhënës Punëkërkues

Mungesa e zanatçinjve, fluks kërkesash në tregun e punës

Kohët e fundit në biseda me miq e të njohur dëgjojmë fjalinë “Po na gënjen ustai” që mund të jetë hidrauliku, mekaniku, elektricisti, bojaxhiu etj. Ata detyrohen të gënjejnë apo të zvarrisin punimet duke i mbajtur me shpresë “Do vij sot, do vij nesër”. Në kushtet kur shumica e profesionistëve apo zanatçinjve kanë emigruar, ata që kanë mbetur këtu janë mbingarkuar, ndaj detyrohen shpeshherë të bëhen edhe gënjeshtarë.

“Profesionet që po kërkohen me emergjencë janë elektricistët, hidraulikët, teknikët e ndërtimit që janë gjithnjë e më të paktë, se preferojnë të punojnë jashtë. Janë specialistët dhe teknikët e serviseve të ndryshme. Pra problematika më e madhe që kanë sot shqiptarët janë specialistët e atyre profesioneve që ofrojnë shërbime nëpër shtëpi, si p.sh. kur ndërron një prizë, do vendosësh një çelës, një rubinet, tub, do riparosh këtë apo atë elektroshtëpiake, do lyesh shtëpinë, dhe kjo sepse nuk gjenden specialistët, pasi nuk ka të tillë.

Nga ana tjetër të rinjtë nuk u qasen këtyre zanateve. Ata preferojnë të studiojnë dhe po anohen drejt Teknologjisë së Informacionit, drejt IT-së dhe Programimit, sepse mundësia për punësim dhe mundësia për paga më të larta që në start është shumë e lartë, duke i lënë mënjanë profesionet e tyre të mësuara në shkolla profesionale, në kurse të formimit profesional apo nga përvoja autodidakte e mësuar nga një profesionist i vjetër”, u shpreh Erion Muça, një ekspert punësimi dhe karriere.

Burimi: Top Channel