Struktura e Pagave: Ndikimi i Reformës në Sektorin Privat dhe Rritja e Të Punësuarve me Pagë Minimale
Paga minimale u rrit me ritme më të larta se paga mesatare në sektorin privat, duke ngushtuar ndjeshëm hendekun ndërmjet një rroge mesatare dhe minimale gjatë vitit 2023.
Të dhënat e INSTAT referojnë se në 3-mujorin e dytë të vitit 2023, paga minimale ishte sa 60.6% e pagës mesatare në sektorin privat nga 55.8% që ishte ky raport në tremujorin e dytë të vitit 2022.
Me tre vendime të njëpasnjëshme, qeveria e ka rritur pagën minimale gjatë një viti me rreth 25%, duke e çuar në 40,000 lekë në prillin 2023, nga 32,000 lekë në tremujorin e parë 2022.
Paga mesatare në sektorin privat në të njëjtën periudhë të vitit 2023 arriti në 65,901 lekë, me rritje 15%, nga 57,613 lekë në tremujorin e dytë të vitit 2022.
Qeveria aplikoi rritje rekord të pagës minimale në shkallë vendi në 30 vitet e tranzicionit, me qëllim për të nxitur pagesa më të larta edhe në nivelet e tjera të pagave.
Të dhënat tregojnë se edhe paga mesatare në shkallë vendi u rrit më 2023 me ritme rekord në dekadën e fundit, por ato nuk ishin aq të larta se të ruhej diferenca me pagën minimale.
Tregu i punës po gjeneron ofertë të bollshme për punë në profesione që nuk kërkojnë kualifikim.
Zhvillimi i turizmit rriti ndjeshëm kërkesën për punonjës të pastrimit, dhe nga në anën tjetër në sektorin e ndërtimit kërkesa për punonjëse krahu është e lartë duke bërë që pagat për këtë kategori të jenë shpesh mbi nivelin minimal.
Rritja e pagave në sektorin privat po nxitet më shumë nga zhvillimet demografike që ka krijuar mungesa jetike për shumicën e aktiviteteve se nga politikat zhvillimore dhe rritja e produktivitetit.